“Gjurmimi i yjësive – Histori për kulturën, bashkëpunimin dhe ndikimin përmes projekteve të bashkëpunimit të Creative Europe (2021–2024)” është një publikim i ri i Agjencisë Ekzekutive për Arsimin dhe Kulturën, i cili përfshin 50 projekte të financuara në kuadër të thirrjes për “Projektet Evropiane të Bashkëpunimit” të nënprogramit Kulturë të Creative Europe gjatë periudhës 2021–2024.
Publikimi fokusohet në pesë “yjësi” tematike:
- Vlerat evropiane dhe demokracia;
- Praktikat dhe modelet e reja në sektorin kulturor;
- Transformimi digjital;
- Tranzicioni i gjelbër dhe qëndrueshmëria;
- Të rinjtë.
Yjësia e parë, Vlerat evropiane dhe demokracia, paraqet projektet që synojnë të nxisin qytetarinë aktive, vlerat e përbashkëta, përfshirjen dhe dialogun ndërkulturor në Evropë dhe më gjerë në botë.
Praktikat dhe modelet e reja në sektorin kulturor, si yjësia e dytë, nxjerrin në pah nismat që përballen me sfidat specifike me të cilat ndeshen këta sektorë – nga kushtet e pasigurta të punës deri te nevoja për modele të qëndrueshme biznesi.
Në kapitullin e tretë tematik, Transformimi digjital, projektet hulumtojnë se si punonjësit e kulturës janë përshtatur me ndryshimet digjitale dhe si përdorin mjete të reja për të siguruar që kultura evropiane të përparojë në epokën digjitale.
Tranzicioni i gjelbër dhe qëndrueshmëria përfaqësojnë yjësinë e katërt, duke treguar se kultura ka rol kyç në përballimin e sfidave më të ndërlikuara shoqërore, përfshirë tranzicionin e gjelbër të Evropës.
Yjësia e pestë, Të rinjtë, tregon se si projektet e bashkëpunimit i përfshijnë të rinjtë përmes qasjeve të ndryshme dhe inovative, duke krijuar mundësi për pjesëmarrjen e tyre aktive, si publik dhe si profesionistë të kulturës, në jetën kulturore evropiane.
Përmes këtyre tërësive tematike, publikimi tregon se si projektet e mbështetura nga Creative Europe i shndërrojnë prioritetet evropiane në praktika, partneritete dhe rezultate konkrete në terren.
Publikimin mund ta shkarkoni në lidhjen vijuese: