Shtatëdhjetë e dy projekte morën mbështetje për promovim ndërkombëtar, koncerte dhe zhvillim digjital përmes projektit LiveMX.

By lidija , 10 July, 2026
Shtatëdhjetë e dy projekte morën mbështetje për promovim ndërkombëtar, koncerte dhe zhvillim digjital përmes projektit LiveMX.

Gjatë periudhës 2023–2026, projekti trevjeçar LiveMX, i mbështetur nga nisma Music Moves Europe e Creative Europe, krijoi një program për forcimin e kapaciteteve dhe, përmes sistemit të granteve kaskadë (cascading grants), ndau 4 milionë euro për 72 projekte, me synim përgjigjen ndaj sfidave dhe nevojave aktuale të sektorit evropian të muzikës.

Projekti LiveMX u zbatua nga një konsorcium i udhëhequr nga organizata INOVA+, në partneritet me dy rrjetet evropiane të mbështetura nga programi Creative Europe – European Music Exporters Exchange (EMEE) dhe LiveDMA.

Projekti kontribuoi në zhvillimin e një ekosistemi muzikor më të larmishëm, më gjithëpërfshirës dhe më të qëndrueshëm, me fokus në tri fusha kryesore:

  • promovimin ndërkombëtar dhe eksportin e muzikës (music export);
  • hapesirat për koncerte dhe performanca të drejtpërdrejta (live music venues);
  • shpërndarjen digjitale të muzikës dhe angazhimin e publikut.

Projektet e përzgjedhura bashkuan organizata nga 26 vende, ndërsa aktivitetet e tyre u realizuan në mbi 40 shtete. Në thirrje arritën mbi 1 000 aplikime, çka dëshmon interes të madh dhe konfirmon nevojën për mekanizma të tillë mbështetës për sektorin evropian të muzikës.

Projektet e mbështetura sollën rezultate konkrete, ndër to:

  • forcim të bashkëpunimit ndërkufitar dhe rrjetëzimit profesional;
  • gjithëpërfshirje dhe larmi më të madhe në sektorin muzikor;
  • krijimin e mundësive të reja për artistë dhe profesionistë të muzikës nga grupet e margjinalizuara.

Njëkohësisht, u testuan praktika të qëndrueshme, si koncepti i “slow touring” (organizim më i ngadalshëm dhe më i qëndrueshëm i turneve), si dhe zgjidhje për efikasitet më të mirë energjetik të hapësirave të koncerteve.

Mbështetje për forcimin e kapaciteteve

Një pjesë e madhe e përfituesve të granteve sot po zgjerojnë nismat e tyre, po krijojnë partneritete të reja ndërkombëtare dhe po zhvillojnë mjete, udhëzues dhe metodologji për ndarjen e njohurive dhe përvojave të fituara me komunitetin më të gjerë muzikor.

Përveç mbështetjes financiare, LiveMX realizoi edhe një program gjithëpërfshirës për forcimin e kapaciteteve, i cili përfshiu trajnime, mentorim për zhvillimin e projekteve dhe aktivitete rrjetëzimi mes organizatave të përzgjedhura.

Pasqyrë e projekteve të mbështetura:

https://livemx.eu/selected-projects/

Mes shtatëdhjetë e dy projekteve të mbështetura në kuadër të thirrjes së tretë është edhe projekti:

LIVEMK – Ndërtimi i një komuniteti të hapësirave të koncerteve dhe forcimi i bashkëpunimit rajonal, nga organizata maqedonase ASP RIVER GROUP.

Mbështetja për projektin: Komponenti A – 60 000 €

Përshkrim i shkurtër

Projekti LIVEMK synon ta transformojë skenën e muzikës live në Maqedoninë e Veriut përmes krijimit të një ekosistemi dinamik që do t’i lidhë hapësirat e koncerteve, muzikantët dhe publikun në një platformë të vetme digjitale.

Gjatë vitit të parë, projekti do të bashkojë pjesën më të madhe të hapësirave të koncerteve në vend – klube, kafene dhe salla koncertesh – duke krijuar një rrjet të fortë për bashkëpunim, ndarje burimesh, organizim të përbashkët të ngjarjeve dhe promovim më efikas. Deri në fund të projektit, synohet që rrjeti të përfshijë rreth 90% të hapësirave të koncerteve, duke u mundësuar skenave nga Shkupi, Struga, Tetova, Strumica, Ohri dhe qytete të tjera të bëhen pjesë e kësaj nisme të përbashkët.

Përmes fushatave të synuara të marketingut dhe funksioneve të platformës digjitale – si rekomandimet e personalizuara për ngjarje dhe mjetet ndërvepruese për komunikim me publikun – projekti do të tërheqë vizitorë të rinj, do të rrisë pjesëmarrjen në koncerte dhe do të forcojë lidhjen mes publikut dhe interpretuesve.

Njëkohësisht, përmes punëtorive praktike, programeve të mentorimit dhe platformave për shkëmbimin e njohurive, menaxherët e hapësirave të koncerteve dhe muzikantët do të fitojnë aftësi të reja për përmirësimin e punës dhe veprimtarisë së tyre afariste, si dhe për ngritjen e standardeve artistike.

Për të siguruar ndikim afatgjatë, projekti do të realizojë dy programe kyçe – një seri kombëtare festivalesh dhe një program ndërkombëtar shkëmbimi – që do të promovojnë skenën vendore të muzikës dhe do të nxisin bashkëpunimin kulturor ndërkombëtar.

Për më tepër, përmes evidentimit gjithëpërfshirës të hapësirave të koncerteve dhe analizës së të dhënave në kohë reale do të sigurohen informacione përkatëse për planifikim strategjik, investime të ardhshme dhe zhvillim të mëtejshëm të sektorit.

Me zbatimin e zgjidhjeve bashkëkohore digjitale dhe një qasjeje të bazuar në bashkëpunimin e komunitetit, LIVEMK do të krijojë një rrjet kombëtar të qëndrueshëm dhe të dukshëm, që do t’i lidhë hapësirat e koncerteve, muzikantët dhe publikun, duke hapur një kapitull të ri në zhvillimin e muzikës live në Maqedoninë e Veriut dhe në rajon.