Parlamenti Evropian, Këshilli dhe Komisioni Evropian nënshkruan një deklaratë të përbashkët, me të cilën konfirmojnë angazhimin e tyre të përbashkët politik jashtëzakonisht të fuqishëm që kultura të vendoset në qendër të agjendës strategjike të Bashkimit Evropian.
Në një kohë ndryshimesh të shpejta dhe sfidash të reja globale, deklarata e përbashkët e vendos kulturën në zemër të identitetit evropian, duke konfirmuar rolin e saj si shtyllë themelore e vlerave evropiane, qëndrueshmërisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm. Ajo e njeh kulturën dhe trashëgiminë kulturore si të mira publike, duke pranuar njëkohësisht vlerën e tyre thelbësore, shoqërore, qytetare dhe ekonomike, si dhe rolin e Bashkimit Evropian si fuqi kulturore globale.
Me rastin e nënshkrimit të deklaratës së përbashkët, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, theksoi: “Sot konfirmojmë sërish se kultura është shpirti i Evropës – dhe forca e saj më e madhe. Kjo deklaratë është një premtim për artistët tanë, qytetarët tanë dhe brezat e ardhshëm: një premtim se do ta mbrojmë lirinë e krijimtarisë artistike, do të investojmë në krijimtari dhe do të sigurojmë që kultura të mbetet shtytëse e unitetit dhe përparimit – një burim strategjik në kohët e sotme të trazuara. Kur kultura përparon, përparon edhe Evropa”.
Dymbëdhjetë parime udhëzuese
E frymëzuar nga nisma “Culture Compass for Europe”, deklarata e përbashkët përcakton dymbëdhjetë parime udhëzuese për politikat kulturore në Evropë, të cilat lidhen me:
lirinë e shprehjes artistike dhe të drejtën për të krijuar;
diversitetin kulturor dhe gjuhësor;
qasjen në kulturë për të gjithë;
kushte të drejta, të ndershme, të shëndetshme dhe të sigurta pune për artistët dhe profesionistët e kulturës;
përfaqësimin dhe pjesëmarrjen e të rinjve në jetën kulturore;
sinergjinë ndërmjet kulturës, artit dhe arsimit;
kontributin e kulturës në shëndetin dhe mirëqenien;
përdorimin, zhvillimin dhe menaxhimin etik e të përgjegjshëm të inteligjencës artificiale;
mbrojtjen, ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore;
rolin e kulturës në nxitjen e zhvillimit rajonal dhe territorial, qëndrueshmërisë dhe kohezionit shoqëror;
kontributin e kulturës në qëndrueshmërinë mjedisore;
integrimin e kulturës dhe trashëgimisë kulturore në politikat e brendshme dhe të jashtme të Bashkimit Evropian, investimin në kulturë dhe ndjekjen e progresit të arritur.
Tri institucionet angazhohen të sigurojnë mbështetje të veçantë financiare dhe burime të larmishme financimi për sektorin kulturor dhe krijues, të integrojnë kulturën në të gjitha politikat dhe instrumentet financiare përkatëse të Bashkimit Evropian, të përmirësojnë mbledhjen dhe analizën e të dhënave në fushën e kulturës, të mbajnë dialog të vazhdueshëm me palët e interesuara dhe të promovojnë deklaratën e përbashkët në kuadër të marrëdhënieve të jashtme të Bashkimit Evropian.
Më shumë informacion mund të gjeni në lidhjen vijuese.