Afati i fundit për aplikim: 3 gusht 2026.
Platforma evropiane LINA (Learning, Interacting and Networking in Architecture) shpalli thirrjen e pestë publike për pjesëmarrje në programin e saj, të dedikuar për talentet e reja në fushën e arkitekturës dhe praktikave hapësinore. Veprimtaria e platformës bashkëfinancohet nga programi “Creative Europe”, ndërsa thirrja është e hapur për kandidatë nga vendet pjesëmarrëse në program, përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut.
Thirrja u dedikohet krijuesve të rinj, arkitektëve, dizajnerëve, studiuesve, teoricienëve dhe praktikuesve të tjerë që punojnë në kryqëzimin e arkitekturës dhe praktikave hapësinore, si dhe individëve e ekipeve ndërdisiplinore që zhvillojnë ide dhe projekte inovative lidhur me sfidat bashkëkohore hapësinore dhe shoqërore. Inkurajohen veçanërisht nismat që promovojnë qëndrueshmërinë, praktikat rigjeneruese dhe qasje të reja ndaj përdorimit dhe formësimit të hapësirës.
LINA bashkon 35 organizata partnere nga Evropa dhe krijon mundësi për rrjetëzim profesional, bashkëpunim ndërkombëtar dhe shkëmbim njohurish midis brezit të ri të autorëve dhe institucioneve kryesore evropiane në fushën e arkitekturës dhe kulturës.
Në kuadër të thirrjes do të përzgjidhen deri në 22 LINA Spotlight Fellows, të cilët do të marrin pjesë në LINA Forum, që do të mbahet më 22 dhe 23 tetor 2026 në Barcelonë, në bashkëpunim me Fundació Mies van der Rohe.
Për pjesëmarrësit e përzgjedhur sigurohen akomodimi, rimbursimi i shpenzimeve të udhëtimit deri në 350 euro për një përfaqësues nga secili individ ose ekip i përzgjedhur, si dhe promovimi përmes kanaleve të komunikimit të platformës.
Përveç LINA Spotlight Fellows të përzgjedhur, edhe kandidatët e tjerë të paraqitur mund të shqyrtohen për pjesëmarrje në aktivitetet e LINA Architecture Programme 2026–2027, në kuadër të të cilit parashikohen rreth 90 bashkëpunime me organizatat partnere.
Programi përfshin një gamë të gjerë aktivitetesh, ndër to: rezidenca artistike, shkolla verore, programe mentorimi, projekte kërkimore, ligjërata, ekspozita, publikime, ndërhyrje hapësinore dhe debate publike.
Bashkëpunimet me organizatat partnere realizohen përmes marrëveshjeve formale dhe përfshijnë honorare, mbulimin e shpenzimeve dhe kushte të qarta për realizimin e aktiviteteve.
Rezultatet e thirrjes do të shpallen më 15 shtator 2026, ndërsa aktivitetet do të realizohen gjatë viteve 2026 dhe 2027 në disa vende evropiane. Cikli programor do të përfundojë me LINA Festival, që do të mbahet në prill 2028 në Lubjanë, Slloveni.
Kandidatët e interesuar mund të marrin pjesë në sesionet e mbetura informuese online, të planifikuara për 16 korrik, 30 korrik dhe 3 gusht 2026, ku do të marrin informacion për procesin e aplikimit, kriteret dhe mundësitë që ofron programi.
LINA është një platformë evropiane e mbështetur nga programi “Creative Europe”, e cila synon të nxisë dukshmërinë ndërkombëtare, lëvizshmërinë dhe zhvillimin profesional të brezave të rinj të autorëve evropianë përmes bashkëpunimit me organizata kulturore kryesore në mbarë Evropën.
Projektet tuaja mund t’i dorëzoni përmes faqes zyrtare të platformës, ku mund të gjeni më shumë informacion për kriteret e aplikimit: