Si mund të kontribuojë trashëgimia kulturore në krijimin e shoqërive më të qëndrueshme, më gjithëpërfshirëse dhe më demokratike? Kësaj pyetjeje përpiqet t'i përgjigjet seria e re e video-ligjëratave nga kursi arsimor European Heritage Masterclass, një iniciativë e organizatës „Europa Nostra“, e cila ofron 12 leksione tematike të kushtuara për aspekte të ndryshme të trashëgimisë kulturore dhe rolin e saj në shoqërinë bashkëkohore.
Seria është realizuar në kuadër të projektit Europa Nostra Heritage Agora, i bashkëfinancuar nga programi „Evropa Kreative“, ndërsa ligjëratat i udhëheq arkeologu Hermann Parzinger, kryetar i „Europa Nostra“ dhe një nga ekspertët kryesorë evropianë në fushën e trashëgimisë kulturore.
Përmes 12 episodeve, ky kurs arsimor e prezanton trashëgiminë jo vetëm si një mënyrë për ruajtjen e së kaluarës, por edhe si një resurs aktiv për zhvillimin e komuniteteve dhe shoqërive. Temat përfshijnë çështje lidhur me identitetin, etikën, pronësinë, pjesëmarrjen e qytetarëve, ndryshimet klimatike, transformimin digjital, menaxhimin e trashëgimisë dhe të ardhmen e saj.
Ligjëratat janë xhiruar në ndërtesën historike Huis van Brienen në Amsterdam, objekt i cili mbrohet dhe mirëmbahet nga organizata Hendrick de Keyser Monumenten.
Leksioni i parë, me titull „Pse është e rëndësishme trashëgimia?“ (Why Heritage Matters?), tashmë është i disponueshëm dhe hap pyetjen qendrore të të gjithë serisë: si mund të kontribuojë trashëgimia kulturore në përforcimin e ndjenjës së përkatësisë, vetëdijes historike, përgjegjësisë qytetare dhe vlerave demokratike.
Kursi është i destinuar për një rreth më të gjerë profesionistësh nga fusha e kulturës dhe trashëgimisë, hulumtues, studentë, por edhe për të gjithë të interesuarit për kuptimin më të mirë të rëndësisë së trashëgimisë kulturore evropiane dhe rolin e saj në përgjigjen e sfidave bashkëkohore.
Ky kurs arsimor falas mundëson qasje në njohuri dhe përvoja nga ekspertë kryesorë evropianë në fushën e trashëgimisë kulturore.
Më shumë informacione dhe qasje në kurs mund të gjeni këtu.