Aplikimet për programet e zhvillimit profesional të EPI-së janë të hapura deri më 4 shtator 2026.

By lidija , 10 July, 2026
Aplikimet për programet e zhvillimit profesional të EPI-së janë të hapura deri më 4 shtator 2026.

Instituti “Erich Pommer” (Erich Pommer Institut – EPI) hapi aplikimet për edicionet e reja të programeve Audiovisual Women dhe Series’ Women – programe ndërkombëtare për zhvillim profesional dhe udhëheqje, të dedikuara për profesionistët që identifikohen si gra dhe punojnë në sektorin evropian audiovizual.

Të dyja programet synojnë të nxisin zhvillimin profesional të grave në industrinë evropiane audiovizuale përmes përmirësimit të aftësive drejtuese, rritjes së dukshmërisë dhe kapaciteteve sipërmarrëse. Njëkohësisht, ato synojnë të trajtojnë pabarazinë gjinore dhe përfaqësimin e pamjaftueshëm të grave në industri.

Audiovisual Women | tetor 2026 – prill 2027

Programi Audiovisual Women u dedikohet profesionisteve në pozita menaxheriale të mesme dhe të larta përgjatë gjithë zinxhirit të vlerës audiovizuale. Ai u ofron pjesëmarrëseve mjete strategjike për përballimin e suksesshëm të ndryshimeve, udhëheqje përmes inovacionit dhe përmirësimin e pozitës së tyre në një industri gjithnjë e më konkurruese.

Programi do të zhvillohet nga tetori 2026 deri në prill 2027 dhe kombinon punëtori me prani fizike dhe sesione online, të udhëhequra nga ekspertë ndërkombëtarë. Përveç kësaj, pjesëmarrëset do të kenë qasje në këshillim biznesi dhe mësim të pavarur online përmes platformës eTraining.

EPI ka krijuar një partneritet të ri me Industry@Tallinn & Baltic Event, pjesë e Festivalit të Filmit Tallinn Black Nights, ku do të mbahet njëra prej punëtorive, duke u mundësuar pjesëmarrëseve qasje në një rrjet të gjerë profesional ndërkombëtar.

Që nga themelimi i saj në vitin 2021, programi Series’ Women është afirmuar si një platformë e rëndësishme evropiane për rritjen e dukshmërisë dhe udhëheqjes së grave dhe producentëve me diversitet gjinor në sektorin e serialeve dramatike televizive.

Programi do të realizohet nga nëntori 2026 deri në mars 2027, ndërsa pjesëmarrëset do të ndjekin një program intensiv që përfshin punëtori me prani fizike dhe sesione online, mentorim individual për karrierën dhe trajnim për përgatitjen dhe prezantimin e projekteve (pitch coaching).

Temat kryesore përfshijnë:

  • udhëheqjen,

  • dukshmërinë profesionale,

  • sipërmarrësinë,

  • aspektet juridike,

  • marketingun dhe strategjitë e shpërndarjes.

Lidhja e drejtpërdrejtë me industrinë është një nga elementet kryesore të programit. Pjesëmarrëset do të marrin pjesë në ngjarje kryesore evropiane, ndër to:

  • TV Drama Vision 2027 në Goteborg;

  • Series Mania Forum 2027 në Lilë;

gjë që do t’u mundësojë shkëmbim të drejtpërdrejtë përvojash dhe kontaktesh me profesionistë dhe vendimmarrës nga industria evropiane e serialeve televizive.

Programi financohet nga Creative Europe – MEDIA dhe mbështetet nga: FOCAL, Screen Ireland, Göteborg Film Festival, Series Mania Forum, EAVE, European Women's Audiovisual Network (EWA), Seriesly Berlin, European Producers Club (EPC) dhe Women In Film & Television International (WIFTI).

Tarifa e pjesëmarrjes

Tarifa e rregullt e pjesëmarrjes është 2 500 euro dhe përfshin:

  • pjesëmarrjen në të gjitha punëtoritë dhe sesionet e këshillimit gjatë programit;

  • të gjitha materialet e nevojshme;

  • qasjen në kurset e përzgjedhura online të EPI-së;

  • akomodimin dhe ushqimin gjatë ditëve kur zhvillohen punëtoritë me prani fizike.

*Shpenzimet e udhëtimit nuk përfshihen.

EPI ofron gjithashtu mbështetje këshillimore për sigurimin e mjeteve financiare, me qëllim që t’i ndihmojë aplikantët të marrin pjesë në program. Për më shumë informacion, kontaktoni personat e renditur në faqen e internetit:

https://www.epi.media/en_GB/audiovisual-women

Bursat

Falë financimit nga programi Creative Europe – MEDIA, një numër i kufizuar bursash, kryesisht të pjesshme, do të jenë në dispozicion për shtetasit e vendeve në vijim:

Bullgaria, Kroacia, Qiproja, Republika Çeke, Estonia, Greqia, Hungaria, Letonia, Lituania, Luksemburgu, Malta, Polonia, Portugalia, Rumania, Sllovakia dhe Sllovenia.

Pjesëmarrësit nga vendet që nuk janë pjesë e nismës MEDIA të Bashkimit Evropian mund të kenë gjithsesi të drejtë për bursë, në varësi të pjesëmarrjes së tyre në nënprogramin MEDIA, përkatësisht:

Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Gjeorgjia, Islanda, Lihtenshtajni, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Republika e Serbisë dhe Ukraina.

Përveç bursave, programi ofron një gamë të gjerë zbritjesh dhe mundësish financimi. Rekomandohet që në formularin e aplikimit të shënoni njërën nga bursat ose zbritjet e përmendura, ose t’u drejtoheni drejtpërdrejt kontakteve në faqen vijuese të internetit:

https://www.epi.media/en_GB/audiovisual-women

KUSH MUND TË APLIKOJË?

Grupi i synuar i programit Audiovisual Women janë gratë menaxhere që punojnë në segmente të ndryshme të zinxhirit të vlerës në industrinë evropiane audiovizuale.

Të paktën 3 vjet përvojë pune në industrinë audiovizuale.

Disa shembuj të profileve të përshtatshme profesionale janë: menaxhere shitjesh, producente, redaktore për përzgjedhjen dhe porositjen e përmbajtjeve (commissioning editors), juriste të specializuara në industrinë e argëtimit, menaxhere kinemash, drejtuese të financimit, menaxhere festivalesh filmi, profesioniste të pavarura që punojnë rregullisht me ekipe në pozita udhëheqëse.

SESIONE INFORMUESE

Më shumë informacion për përmbajtjen e programit, përfitimet e tij, kushtet e aplikimit dhe hollësitë teknike mund të merrni në sesionet informuese online që do të zhvillohen më 21 korrik dhe 25 gusht 2026.

Lidhja për sesionet informuese dhe aplikimet:

https://www.epi.media/en_GB/audiovisual-women