European Mini-Slate Development u mundëson producentëve evropianë nga vendet me kapacitet të ulët audiovizual të zgjerojnë mundësitë e tyre, të nxisin inovacionin dhe të forcojnë pozitat e tyre në treg.
Informacionet në këtë faqe janë vetëm për qëllime të përgjithshme informuese.
Ju lutemi, lexoni dokumentin e thirrjes European Mini Slate Development 2026 për të verifikuar të gjitha kushtet dhe kërkesat e pranueshmërisë.
Cili është qëllimi i mbështetjes financiare?
Qëllimi i mbështetjes për European Mini-Slate Development është të forcojë konkurrueshmërinë e kompanive të pavarura evropiane të produksionit dhe të rrisë peshën e tyre ekonomike në treg.
Për më tepër, synohet rritja e kapacitetit të producentëve audiovizualë për të zhvilluar projekte që kanë potencial të shpërndahen nëpër Evropë dhe më gjerë, si dhe lehtësimi i bashkëprodhimit evropian dhe ndërkombëtar.
Mbështetja do të krijojë gjithashtu mundësi për paraqitjen e talenteve të reja, duke u dhënë atyre mundësi të regjisojnë një film të shkurtër me mbështetjen e bazës së fortë që ofrojnë kompanitë me përvojë të produksionit.
Rezultatet e pritshme
Pozitë më e fortë në tregjet evropiane dhe ndërkombëtare për kompanitë e përzgjedhura në kuadër të zhvillimit të slate-it evropian.
Cilësi, realizueshmëri, potencial ndërkufitar dhe vlerë tregu e përmirësuar e veprave evropiane të mbështetura.
Thirrja është e hapur vetëm për kompani nga vendet me kapacitet të ulët audiovizual.
Kush mund të aplikojë?
Për të qenë të pranueshëm, aplikantët (përfituesit e grantit dhe subjektet e lidhura) duhet:
të jenë persona juridikë (organizata publike ose private);
të jenë të themeluar në një nga vendet e pranueshme, përkatësisht vendet pjesëmarrëse në Creative Europe:
Kompania duhet të jetë e themeluar në një nga vendet me kapacitet të ulët audiovizual (grupi A LCC dhe grupi B LCC) që marrin pjesë plotësisht në nënprogramin MEDIA të Creative Europe dhe duhet të jetë drejtpërdrejt ose tërthorazi, tërësisht ose në shumicë, në pronësi të shtetasve të këtyre vendeve.
Kur kompania është e listuar publikisht në bursë, vendndodhja e bursës, në parim, përcakton kombësinë e saj.
Vendet me kapacitet të ulët audiovizual
Grupi A LCC: Kroacia, Republika Çeke, Estonia, Greqia, Polonia, Portugalia, Rumania.
Grupi B LCC: Bullgaria, Qiproja, Hungaria, Letonia, Lituania, Luksemburgu, Malta, Sllovakia, Sllovenia.
Vendet e treta
Edhe vendet e treta në vijim konsiderohen pjesë e grupit B LCC, nëse plotësojnë kushtet e pjesëmarrjes në këtë thirrje: Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Islanda, Lihtenshtajni, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Republika e Serbisë, Ukraina.
Kushtet për kompanitë e produksionit
Kompanitë duhet të kenë përvojë të fundit në produksionin e veprave me shpërndarje ndërkombëtare.
Gjatë dorëzimit të aplikimit, aplikanti duhet të dëshmojë se ka prodhuar të paktën një vepër që nga viti 2019 e këndej, e cila i plotëson kushtet në vijim:
– projekt animacioni, fiction ose dokumentari krijues (projekt i pavarur ose seri) me kohëzgjatje totale prej të paktën 24 minutash;
– nëse bëhet fjalë për projekt imersiv (për shembull realitet virtual), nuk ka kohëzgjatje minimale.
Vepra duhet të ketë qenë:
e shfaqur në kinema (ose barasvlerëshme për projekte imersive të bazuara në vendndodhje);
e transmetuar në televizion;
ose e disponueshme përmes platformave digjitale;
në të paktën 3 vende të ndryshme nga vendi i aplikantit para afatit të fundit për dorëzimin e aplikimeve.
Shfaqjet ose transmetimet duhet të kenë karakter komercial. Shfaqjet në festivale nuk konsiderohen shpërndarje komerciale.
Sa i përket veprës së mëparshme, aplikanti duhet të dëshmojë se:
ka qenë e vetmja kompani prodhuese; ose
në rast bashkëprodhimi me një kompani tjetër prodhuese, ka qenë bashkëprodhuesi kryesor në planin financiar ose është renditur si producent ekzekutiv; ose
drejtori ekzekutiv ose një nga pronarët ka kredenciale personale si producent ose producent ekzekutiv i veprës.
Çfarë mbështetet?
Mbështetje do të marrin kompanitë e pavarura evropiane të produksionit që mund të zhvillojnë një paketë (slate) prej 2 deri në 3 veprash audiovizuale:
filma artistikë;
vepra të animuara;
dokumentarë krijues.
Kjo duhet t’u mundësojë kompanive të produksionit të ulin rreziqet dhe të rrisin kapacitetin e tyre për të tërhequr dhe mbajtur talentet.
European Mini-Slate Development ofron mbështetje për zhvillimin e së paku 2 dhe më së shumti 3 veprave të destinuara për shfrytëzim komercial përmes:
shpërndarjes në kinema;
transmetimit televiziv;
shfrytëzimit komercial në platformat digjitale;
mjedisit shumëplatformësh.
Aplikantët mund të përfshijnë gjithashtu një film të shkurtër nga një talent i ri në paketën e tyre (opsionale).
Qëllimi është të sigurohen mjete për zhvillimin e veprave me vlerë të lartë krijuese, diversitet kulturor dhe potencial të madh për shpërndarje ndërkufitare.
Kompanitë inkurajohen që qysh në fazën e zhvillimit të përgatisin strategji për marketing dhe shpërndarje, duke përmirësuar kështu potencialin për arritjen e publikut në nivel evropian dhe ndërkombëtar.
Aplikimet duhet të përfshijnë strategji të përshtatshme për:
një industri më të qëndrueshme dhe më të përgjegjshme ndaj mjedisit;
barazinë gjinore;
gjithëpërfshirjen;
diversitetin dhe përfaqësueshmërinë.
Vepra që nuk janë të pranueshme për mbështetje:
regjistrime live, lojëra televizive, emisione talk-show, emisione kulinarie, revista, emisione televizive, reality show, programe arsimore dhe mësimore;
dokumentarë për promovimin e turizmit, materiale “making-of”, reportazhe, dokumentarë për kafshë, lajme dhe formate “docu-soap”;
projekte që përmbajnë materiale pornografike ose raciste ose që promovojnë dhunën;
vepra me karakter promovues;
produksione institucionale për promovimin e një organizate të caktuar ose aktiviteteve të saj;
video muzikore dhe videoklipe;
video-lojëra, libra elektronikë dhe libra interaktivë;
filma studentorë ose projekte diplome.
Sa mbështetje mund të merret?
Buxheti i projektit (granti i kërkuar) është:
nga 60 000 deri në 310 000 euro për projekt.
Granti i akorduar mund të jetë më i ulët se shuma e kërkuar.
Granti jepet si shumë e përgjithshme, pra si shumë fikse që nuk lidhet drejtpërdrejt me shpenzimet reale.
Shumat fikse janë:
Animacion – projekt i pavarur: 55 000 €
Seri e animuar: 60 000 €
Dokumentar krijues – projekt i pavarur: 30 000 €
Seri dokumentare krijuese: 35 000 €
Film artistik me buxhet produksioni deri ose të barabartë me 5 milionë euro: 45 000 €
Film artistik me buxhet mbi 5 milionë euro: 60 000 €
Seri artistike me buxhet deri ose të barabartë me 5 milionë euro: 55 000 €
Seri artistike me buxhet mbi 5 milionë euro dhe deri në 20 milionë euro: 75 000 €
Seri artistike me buxhet mbi 20 milionë euro: 100 000 €
Film i shkurtër: 10 000 €
Si të aplikoni?
Në dokumentin e thirrjes European Mini Slate Development 2026 mund të gjeni informacionet përkatëse për thirrjen dhe mënyrën e aplikimit.
Aplikimet për këtë thirrje do të dorëzohen përmes Portalit të Komisionit Evropian për Mundësi Financimi dhe Tenderë (Funding & Tender Opportunities Portal – F&TP).
Informacionet për qasjen dhe përdorimin e portalit F&T mund t’i gjeni në lidhjen vijuese: