U mbajt punëtoria për Inteligjencën Artificiale në film

By vladimir , 17 July, 2026
U mbajt punëtoria “Inteligjenca Artificiale në film dhe industritë kreative”

Në kuadër të edicionit të pestë të festivalit të filmit “Përtej Liqenit”, më 14 korrik në Strumicë dhe më 15 korrik në Dojran u mbajt punëtoria “Inteligjenca Artificiale në film dhe industritë kreative”, e realizuar në bashkëpunim me Zyrën e Evropa Kreative MK.

Në këtë ngjarje, e cila ngjalli interes të madh te profesionistët e filmit, morën pjesë Miloš Đukelić (regjisor dhe producent nga Serbia), i cili theksoi se krijuesit nuk duhet t’i frikësohen inteligjencës artificiale (AI), por ta përdorin atë si një mjet të fuqishëm dhe instrument kreativ, si dhe Momchil Aleksiev (artist vizual dhe regjisor nga Bullgaria), i cili vuri në dukje se filmi do të mbijetojë, por proceset e punës dhe profesionet do të transformohen. Ai realizoi edhe një demonstrim praktik të mjeteve të njohura të AI-së (si ChatGPT, Midjourney, Runway, ElevenLabs etj.) dhe përdorimit të tyre në prodhim, skenar dhe montazh.

Gjatë punëtorisë u prezantuan mundësitë e financimit, veçanërisht përmes nënprogramit MEDIA dhe thirrjeve për bashkëzhvillim, videolojëra dhe përmbajtje imersive, si dhe laboratorët e inovacionit të nënprogramit ndërsektorial, të cilët mbështesin edhe projekte me inteligjencë artificiale të integruar (AI), si dhe trajnime për zhvillim profesional.

Pas dy ditëve intensive të punës, u arrit në përfundimin se e ardhmja e sektorit audiovizual varet nga përshtatja ndaj teknologjive të reja dhe bashkëpunimi ndërdisiplinor ndërmjet autorëve të filmit, programuesve dhe ekspertëve, si dhe se pranimi i zhvillimeve të reja teknologjike është thelbësor për zhvillimin e kinematografisë rajonale dhe ndërkombëtare.