Komisioni Evropian publikoi raportin mbi ndikimin e iniciativës „Kryeqytete Evropiane të Kulturës“
Vlerësimi i ri i Komisionit Evropian konfirmon se iniciativa „Kryeqytete Evropiane të Kulturës (ECoC)“ edhe pas katër dekadash mbetet një nga projektet kulturore më të suksesshme evropiane, që kontribuon në zhvillimin e turizmit, aktivitetit kulturor, investimeve dhe përfshirjes sociale, si dhe në zhvillimin e komuniteteve lokale dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
Sipas raportit të përgatitur nga Komisioni Evropian, bazuar në studimin e jashtëm të Ecorys Europe dhe KEA European Affairs, iniciativa ka ndikim thellësisht transformues si mbi qytetet ashtu edhe mbi komunitetet e tyre. Që nga prezantimi i saj në vitin 1985, ajo përfaqëson një nxitës të fuqishëm, financiarisht efikas dhe të rëndësishëm të ndryshimeve kulturore dhe shoqërore nëpër Evropë.
Qëllimi i vlerësimit është të tregojë se si është zbatuar iniciativa dhe çfarë rezultatet ka arritur. Ai veçon praktikat e mira dhe mësimet e nxjerra që mund t’u shërbejnë kryeqyteteve të ardhshme evropiane të kulturës dhe të gjitha qyteteve evropiane që duan të zhvillojnë skenën e tyre kulturore. Gjithashtu, vlerësimi përcakton drejtimet për zhvillimin e mëtejshëm të programit pas vitit 2033.
Procesi i vlerësimit bazohet në një kombinim të metodave sasiore dhe cilësore – nga intervista dhe grupe fokusi, deri te analiza statistikore dhe shqyrtimi i dokumenteve. Janë përfshirë qytetet që kanë mbajtur titullin Kryeqytet Evropian i Kulturës në periudhën 2013–2023, si dhe ato që kanë aplikuar për të nga viti 2020 deri në 2028.
Hulumtimi përfshin 64 intervista me përfaqësues të institucioneve të BE-së, autoriteteve kombëtare dhe lokale dhe organizatave; 6 grupe fokusi me ekspertë dhe përfaqësues të qyteteve; analizë të raporteve të mëparshme të vlerësimit përmes një mjeti të specializuar me rreth 60 indikatorë; shqyrtim të 199 burimeve të literaturës dhe 38 treguesve statistikore; konsultim publik me 60 përgjigje, 8 studime rasti dhe një punëtori përmbyllëse të dedikuar për konfirmimin e gjetjeve dhe shqyrtimin e drejtimeve të ardhshme për zhvillimin e programit.
Gjetje nga vlerësimi
Tërheqja e më shumë vizitorëve
Vlerësimi tregon se në periudhën 2013–2022, qytetet pritëse kanë organizuar mesatarisht 1.000–1.200 aktivitete kulturore në vit, me një publik të përgjithshëm prej 38,5 milionë personash. Numri i vizitorëve është rritur mesatarisht me 30–40 %, gjë që ka kontribuar në rritjen e dukshmërisë ndërkombëtare dhe zhvillimin e turizmit kulturor.
Tërheqja e më shumë investimeve
Iniciativa është financiarisht efikase: me vetëm 3–5 milionë euro mbështetje vjetore nga BE-ja, është nxitur një investim prej rreth 900 milionë euro në kulturë nëpër Evropë.
Efekte afatgjata
Qytetet që marrin titullin shpesh regjistrojnë buxhete kulturore të rritura, me përfitime të qëndrueshme në rigjenerimin urban, pjesëmarrjen qytetare dhe forcimin e sektorëve kulturorë dhe kreativë. Veprimtaria nxit gjithashtu përfshirjen, duke përfshirë grupe që zakonisht nuk janë aktive në jetën kulturore.
Dimensioni evropian
Raporti thekson vlerën e shtuar të iniciativës në: ndërtimin e bashkëpunimit kulturor ndërkombëtar, forcimin e diplomacisë kulturore të Evropës dhe promovimin e identitetit të përbashkët evropian.
Ndërsa iniciativa „Kryeqytete Evropiane të Kulturës“ vazhdon të zhvillohet, vlerësimi do të shërbejë si bazë për përgatitjen e kuadrit të ri ligjor që do të mbulojë periudhën pas vitit 2033.