Hapet thirrja për “Projekte për bashkëpunim evropian” për vitin 2026

By alfa4 , 10 March, 2026
Hapet thirrja për “Projekte për bashkëpunim evropian” në kuadër të programit Evropa Kreative– nënprogrami Kulturë për vitin 2026

Hapet thirrja për “Projekte për bashkëpunim evropian” në kuadër të programit Evropa Kreative– nënprogrami Kulturë për vitin 2026, me afat të fundit për dorëzimin e propozime-projekteve më 5 maj 2026, deri në orën 17:00 (sipas kohës së Evropës Qendrore).

Mbështetja e Bashkimit Evropian në kuadër të kësaj thirrje është e dedikuar për projekte me spektër të gjerë aktivitetesh dhe iniciativash që përfshijnë organizata nga sektorët kulturorë dhe kreativë në 40 vendet pjesëmarrëse të programit Evropa Kreative– Kulturë.

Me buxhet prej rreth 60 milionë euro për vitin 2026, pritet të mbështeten rreth 150 projekte, të cilat do të mundësojnë bashkëpunim ndërmjet organizatave aktive në fushën e kulturës në vendet pjesëmarrëse të programit. Synimi është forcimi i dimensionit transnacional të krijimit dhe qarkullimit të përmbajtjes artistike evropiane, mobiliteti i artistëve dhe profesionistëve nga sektorët përkatës, si dhe shkëmbimi i njohurive dhe përvojave ndërmjet organizatave kulturore. Gjithashtu, pritet që përmes projekteve të nxitet zhvillimi, eksperimentimi, shpërndarja e informacionit dhe aplikimi i praktikave të reja dhe inovative.

QËLLIMET E THIRRJES

Qëllimi 1 – Krijimi dhe qarkullimi transnacional: të forcohet krijimi dhe qarkullimi transnacional i veprave dhe artistëve evropianë. 

Krijimi dhe qarkullimi transnacional janë thelbësorë për përparimin e bashkëpunimit, rritjen e dukshmërisë dhe të audiencës dhe, në shumë raste, janë të domosdoshëm për qëndrueshmërinë dhe zhvillimin e organizatave kulturore, institucioneve dhe individëve. Gjithashtu, koproduksioni përfaqëson mjet për nxitjen e kreativitetit, për ndarjen e burimeve dhe për lehtësimin e shpërndarjes transnacionale të përmbajtjeve dhe mobilitetit të artistëve. Projektet duhet të integrojnë mënyra inovative dhe kreative të krijimit dhe shpërndarjes së përmbajtjeve.

Qëllimi 2 – Inovacioni: të forcohen kapacitetet e sektorëve kulturorë dhe kreativë evropianë për mbështetjen e talenteve, zhvillimin e inovacionit, krijimin e vendeve të punës dhe sigurimin e rritjes ekonomike. 

Projektet që i përgjigjen këtij qëllimi duhet të fokusohen në forcimin e kapaciteteve, qoftë nga natyra teknologjike apo artistike. Kjo mund të përfshijë krijimin dhe shpërndarjen e përbashkët të veprave evropiane për audienca të ndryshme, zhvillimin e praktikave të reja, si dhe transferimin e modeleve të suksesshme të punës nga rajone më të avancuara.

Inovacionet mund të përfshijnë edhe aspekte sociale: zhvillimin e audiencës, përmirësimin e kushteve të punës për artistët, barazinë gjinore, përfshirjen e personave me aftësi të kufizuara dhe të pakicave, luftën kundër ndryshimeve klimatike, digjitalizimin dhe përdorimin e inteligjencës artificiale për mbështetjen e kreativitetit, si dhe kontributin për shëndetin dhe mirëqenien.

Projektet për bashkëpunim evropian janë të hapura për të gjithë sektorët kulturorë dhe kreativë. Duke pasur parasysh që thirrja është pjesë e nënprogramit Kulturë, projektet me përmbajtje ekskluzivisht audiovizuale dhe/ose të përbëra vetëm nga organizata të sektorit audiovizual nuk kanë të drejtë aplikimi.

KATEGORITË E THIRRJES

Risi: Thirrja për bashkëpunim evropian për vitin 2026 përfshin dy kategori:

Projekte bashkëpunimi të vogël (CREA-CULT-2025-COOP-1): minimum 3 partnerë nga 3 vende të kualifikuara / grant i BE-së deri në 200.000 euro (deri në 80% të buxhetit total të projektit).

Projekte bashkëpunimi të mesëm (CREA-CULT-2025-COOP-2): minimum 5 partnerë nga 5 vende të kualifikuara / grant i BE-së deri në 1.000.000 euro (deri në 70% të buxhetit total të projektit).

KOHËZGJATJA E PROJEKTEVE

Kohëzgjatja e projekteve në të dy kategoritë është maksimum 48 muaj.

APLIKANTË TË KUALIFIKUAR

Të drejtë aplikimi kanë vetëm personat juridikë (privatë dhe publikë) të regjistruar në njërën nga 40 vendet pjesëmarrëse në programin Evropa Kreative– Kulturë. Personat fizikë nuk janë të kualifikuar për këtë thirrje.

AFATI PËR APLIKIM

Afati i fundit për dorëzimin e propozime-projekteve është 5 maj 2026, deri në orën 17:00 sipas kohës së Evropës Qendrore.

Informacione për thirrjen mund të gjeni në këtë link
Aplikimet dorëzohen në mënyrë elektronike përmes Funding & Tenders Opportunity Portal në këto linqe:

  • Për Projekte bashkëpunimi të vogël  këtu
  • Për Projekte bashkëpunimi të mesëm  këtu

Më shumë informacione mbi kriteret dhe mënyrën e dorëzimit të aplikimeve mund të gjenden në dokumentin e thirrjes (CREA-CULT-2026-COOP Version 1.0, datë 5 mars 2026) në këtë link.