Dhjetë vite “Evropa Kreative”: raport i Komisionit Evropian

By lidija , 16 January, 2026
Komisioni Evropian publikoi vlerësimin përfundimtar të programit “Evropa Kreative” për periudhën 2014–2020, së bashku me vlerësimin e ndërmjetëm të programit aktual 2021–2027.

Dhjetë vite “Evropa Kreative”: raport i Komisionit Evropian

Komisioni Evropian publikoi vlerësimin përfundimtar të programit “Evropa Kreative” për periudhën 2014–2020, së bashku me vlerësimin e ndërmjetëm të programit aktual 2021–2027. Rezultatet konfirmojnë se programi ka kontribuar në mënyrë të rëndësishme për ruajtjen e diversitetit kulturor dhe forcimin e konkurrueshmërisë, veçanërisht në sektorin audiovizual.

Vlerësimi bazohet në një studim të jashtëm të realizuar nga ECORYS Europe dhe KEA European Affairs dhe përfshiu një analizë të gjerë të të dhënave dhe indikatorëve mbi ndikimin e tre shtyllave strukturore të programit – Kulturë, MEDIA dhe Nënprogrami Ndërsektorial – gjatë periudhës 2014–2023.

Në kuadër të nënprogramit Kulturë, “Evropa Kreative” ka mbështetur më shumë se 1.800 projekte kulturore në Evropë dhe më gjerë, duke kontribuar në zhvillimin e një ekosistemi kulturor të fortë evropian. Programi ka luajtur një rol kyç në nxitjen e bashkëpunimit ndërkufitar, duke përfshirë 4.200 organizata në projekte transnacionale gjatë periudhës 2014–2020 dhe 2.500 organizata shtesë gjatë periudhës 2021–2023.

Mbështetja për mobilitetin, rrjetet kulturore dhe platformat ka forcuar ndjeshëm kapacitetet dhe aftësitë në sektorët kulturorë dhe kreativë, duke kontribuar në ndërkombëtarizimin e karrierave të profesionistëve të kulturës, me financimin e gati 300.000 ditëve të mobilitetit deri në vitin 2020 dhe mbi 160.000 ditëve gjatë periudhës 2021–2023. Programi njëkohësisht ka nxitur diversitetin kulturor dhe qarkullimin e veprave letrare evropiane, me mbi 4.500 përkthime të veprave letrare.

“Evropa Kreative” ka ndihmuar organizatat kulturore dhe kreative të arrijnë audienca të reja përtej kufijve nacional dhe gjuhësorë, ndërkohë që aktivitetet kulturore të mbështetura gjatë periudhës 2014–2020 janë vizituar të paktën 91,5 milion herë. Programi gjithashtu ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në politikat më të gjera të BE-së në fushën e qëndrueshmërisë, përfshirjes sociale, barazisë gjinore dhe diplomacisë kulturore, duke treguar rezistencë të lartë dhe fleksibilitet gjatë periudhave të krizës, si pandemia e COVID-19 dhe lufta në Ukrainë.

Një rol të rëndësishëm në suksesin e programit e kanë pasur edhe Zyrat e “Evropa Kreative”, të cilat u dëshmuan si mbështetje kyçe për aplikuesit potencialë, veçanërisht për organizatat më të vogla. 

Bazuar në mësimet e nxjerra nga vlerësimi, programi dhe pasuesit e tij të ardhshëm do të mund të ndërtojnë mbi rezultatet e arritura dhe të vendosin objektiva edhe më ambicioze.

Më shumë informacion rreth raportit mund të gjeni këtu