Laboratori për Inovacione Kreative (CREA-CROSS-2026-INNOVLAB)

By vladimir , 24 November, 2025
Kjo thirrje është e hapur në kuadër të Nënprogramit Ndërsektorial të “Evropa Kreative” për zhvillimin e bashkëpunimit ndërmjet sektorit audiovizual dhe sektorëve të tjerë kulturorë e kreativë.

Kjo thirrje është e hapur në kuadër të Nënprogramit Ndërsektorial të “Evropa Kreative” për zhvillimin e bashkëpunimit ndërmjet sektorit audiovizual dhe sektorëve të tjerë kulturorë e kreativë. Projekt-propozimet duhet qartë të konfirmojnë qasjen ndërsektoriale, kushtet për zbatimin e saj dhe përfitimet e pritura për të gjithë sektorët e përfshirë. Për thirrjen është siguruar buxhet në vlerë totale prej 7.021.561 euro.


Qëllimi

Thirrja synon të nxisë bashkëpunimin ndërmjet sektorit audiovizual dhe sektorëve të muzikës, librave dhe muzeve, për të mbështetur tranzicionin e tyre ekologjik dhe/ose për të forcuar konkurrueshmërinë e tyre, si dhe për të përmirësuar qarkullimin ndërkufitar, dukshmërinë, larmishmërinë dhe aksesin e publikut në përmbajtjet evropiane. Mbështetja synon gjithashtu t’i mundësojë sektorit audiovizual evropian dhe këtyre tre sektorëve (muzikë, libra dhe muze) të përshtaten më mirë me mundësitë që ofrojnë inteligjenca artificiale dhe botët virtuale.
Në kuadër të thirrjes do të mbështeten projekte të orientuara drejt konceptimit, zhvillimit dhe/ose shpërndarjes së mjeteve, modeleve ose zgjidhjeve inovative të zbatueshme në sektorin audiovizual (obligativisht), si dhe në të paktën një nga sektorët e muzikës, librave ose muzeve.

Sektori audiovizual përfshin të gjitha aktivitetet ose kompanitë e lidhura me zhvillimin, prodhimin, shpërndarjen, promovimin dhe qarkullimin e përmbajtjeve si:
•    Filma artistikë, animacione dhe dokumentarë kreativë të destinuar kryesisht për shfaqje në kinema;
•    Vepra audiovizuale fiksion (të vetme ose seri), animacione (të vetme ose seri) dhe dokumentarë kreativë (të vetme ose seri) të destinuar kryesisht për transmetim në TV ose shfaqje në platforma digjitale;
•    Vepra interaktive, jolineare fiksion, animacione ose dokumentarë kreativë (p.sh. projekte narrative me realitet virtual);
•    Video-lojëra narrative dhe përvoja narrative imersive interaktive.
•    Për t’u konsideruar projekti si narrativ, historia duhet të rrëfehet ose të paraqitet gjatë gjithë lojës (in-game storytelling) ose përvojës imersive interaktive, e jo vetëm si hyrje ose përfundim.
 

Rezultatet e pritura
•    Përmirësimi i konkurrueshmërisë së sektorit audiovizual, kulturor dhe kreativ evropian: transparencë e shtuar, mbledhje të dhënash dhe përdorim i duhur i inteligjencës artificiale / të dhënave të mëdha (big data), si dhe përshtatje ndaj sfidave dhe mundësive që dalin nga ndryshimet aktuale në këta sektorë;
•    Përmirësimi i përshtatjes së sektorit audiovizual, kulturor dhe kreativ evropian me mundësitë që ofron zhvillimi i botëve virtuale (të njohura si metaverse);
•    Përmirësimi i prodhimit/financimit dhe qarkullimit të përmbajtjeve audiovizuale dhe kulturore evropiane në epokën digjitale;
•    Rritja e dukshmërisë, zbulueshmërisë, aksesit dhe larmishmërisë së përmbajtjeve audiovizuale dhe kulturore evropiane në epokën digjitale;
•    Zgjerimi i audiencës potenciale për përmbajtjet audiovizuale dhe kulturore evropiane në epokën digjitale;
•    Përshpejtimi i tranzicionit ekologjik të sektorit audiovizual, kulturor dhe kreativ evropian, në përputhje me prioritetet e Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane dhe iniciativës së re “Bauhaus Evropian”.
 

Aktivitetet që do të mbështeten

Projektet duhet të fokusohen në një (ose më shumë) nga temat e mëposhtme:
•    Botët virtuale si mjedis i ri për promovimin e përmbajtjes evropiane, rinovimin e audiencës dhe rritjen e konkurrueshmërisë së industrive evropiane përkatëse;
•    Mjete inovative biznesi për prodhim, financim, shpërndarje ose promovim, të mundësuara ose të përmirësuara përmes teknologjive të reja (inteligjencë artificiale, big data, blockchain, botë virtuale, NFT etj.), veçanërisht në fushat: 
•    Menaxhimi i të drejtave të autorit dhe monetizimi (përfshirë oferta inovative të kombinuara abonimi për akses në përmbajtje të larmishme kulturore evropiane nga platforma ekzistuese evropiane), duke siguruar njëkohësisht transparencë dhe shpërblim të drejtë për krijuesit dhe artistët;
•    Mbledhja dhe analiza e të dhënave, me fokus të veçantë në parashikimin e krijimit të përmbajtjes dhe zhvillimin e audiencës (përfshirë mjete inovative ndërsektoriale për përmirësimin e cilësisë së shërbimit për abonentët dhe vlerësimin më të mirë të përmbajtjes evropiane të ofruar nga platformat online evropiane);
•    Praktika “të gjelbra” të orientuara drejt reduktimit të ndikimit negativ në mjedis nga sektori audiovizual dhe sektorët e tjerë kulturorë, në përputhje me Marrëveshjen e Gjelbër të Komisionit Evropian dhe iniciativën “Bauhaus i Ri”.
Aplikimet duhet të përfshijnë strategji të përshtatshme për sigurimin e një industrie më të qëndrueshme dhe më të përgjegjshme ndaj mjedisit, si dhe për promovimin e barazisë gjinore, gjithëpërfshirjes, larmishmërisë dhe përfaqësimit.
 

Aktivitete që nuk mbështeten:
•    Projekte të artit multimedial dhe instalacione;
•    Ture imersive, ngjarje, video muzikore dhe përvoja imersive të përdorura në shitje me pakicë;
•    Vepra me natyrë promovuese që janë pjesë e fushatave promovuese ose reklamave për destinacione specifike (turizëm), produkte dhe/ose marka, si dhe prodhime institucionale për promovimin e një organizate specifike ose aktiviteteve të saj;
•    Vepra referuese (enciklopedi, atlase, katalogë, baza të dhënash etj.), vepra “how-to” (udhëzues instruktiv, manuale etj.) dhe e-libra (interaktivë);
•    Projekte të fokusuara në regjistrime të ngjarjeve të drejtpërdrejta, lojëra televizive, programe talk-show, emisione kulinare, revista, programe televizive, lajme, edukim mediatik, reality show, programe arsimore, mësimore dhe “how-to”;
•    Dokumentarë që promovojnë turizmin, përmbajtje “making-of”, reportazhe, reportazhe për kafshë, programe informative dhe formate “docu-soap”;
•    Projekte që përmbajnë material pornografik ose racist ose nxisin dhunë;
•    Platforma për e-learning / mësim elektronik.
Shpenzimet e lidhura me prodhimin/zhvillimin e përmbajtjes dhe organizimin e ngjarjeve kulturore nuk mbështeten në kuadër të kësaj thirrjeje.
 

Aplikantë të kualifikuar

Në këtë thirrje mund të aplikojnë persona juridikë (privatë ose publikë) të regjistruar dhe aktivë në vendet pjesëmarrëse në programin “Evropa Kreative”. Aplikimin mund ta dorëzojë një partner i vetëm ose një konsorcium i përbërë nga të paktën dy partnerë. 
Të ftuar për të marrë pjesë janë një gamë e gjerë organizatash, përfshirë subjekte private dhe publike, kompani teknologjike dhe start-up-e, si dhe organizata audiovizuale, kulturore dhe kreative. Veçanërisht inkurajohet pjesëmarrja e inkubatorëve të biznesit dhe akseleratorëve, me qëllim të sigurimit të hapësirës dhe kohës për zhvillimin e ideve kreative.
 

Kohëzgjatja e projekteve: deri në 24 muaj
 

Mënyra e përgatitjes dhe dorëzimit të projekt-propozimeve/aplikimit 
• Projekt-propozimet përgatiten në përputhje me kriteret dhe kushtet e përcaktuara në dokumentin e thirrjes: Creative Innovation Lab (CREA-CROSS-2026-INNOVLAB), Version 1.0, 21 October 2025. Lidhjet për thirrjen mund t’i gjeni këtu dhe për dokumentin e thirrjes këtu.
• Aplikimet përpunohen dhe dorëzohen elektronikisht përmes Funding & Tenders Opportunity Portal (F&TP) në këtë link.
Më shumë informacion për thirrjen mund të merrni në sesionin online të organizuar nga Komisioni Evropian, i cili do të mbahet më 20 janar 2026 nga ora 10:30 – 12:30. 
Për pjesëmarrje në sesionin online përdorni këtë link.