Sektorët evropianë të gazetarisë, si një nga shtyllat e demokracisë, po përballen me sfida serioze, veçanërisht për shkak të transformimit digjital. Kalimi drejt mediave online ka sjellë rënie të të ardhurave nga reklamat për mediat tradicionale dhe ka rrezikuar qëndrueshmërinë ekonomike të gazetarisë profesionale. Shumë media po mbyllen, duke ulur kështu larmishmërinë mediatike dhe duke cenuar funksionimin e qëndrueshëm të demokracisë.
Përmes kësaj thirrjeje po bëhen përpjekje për kapërcimin e këtyre sfidave. Thirrja është e hapur në kuadër të Nënprogramit Ndërsektorial të “Evropa Kreative”, i cili nxit bashkëpunimin ndërsektorial dhe inovacionin jo vetëm në sektorët kulturorë dhe kreativë (përfshirë atë audiovizual), por edhe në sektorin e mediave informative, me qëllim forcimin e një mjedisi mediatik të larmishëm, të pavarur, të lirë dhe pluralist, zhvillimin e gazetarisë cilësore dhe edukimit mediatik.
Buxheti i përgjithshëm për këtë thirrje është 6.900.000 euro. Mbështetja maksimale për projekt është 2.000.000 euro, me normë maksimale bashkëfinancimi nga Bashkimi Evropian prej 80% të kostove të pranueshme të projektit. Prandaj, aplikantët duhet të bashkëfinancojnë projektet e tyre edhe nga burime të tjera.
Qëllimi
Thirrja “Partneritete Gazetareske – Bashkëpunime” mbështet projekte kolaborative brenda dhe ndërmjet çdo (nën)sektori dhe/ose zhanri gazetaresk, të cilat synojnë të forcojnë bashkëpunimin, t’u ndihmojnë mediave të përshtaten me realitetet e reja ekonomike dhe të konsumit dhe të nxisin ndryshim sistemik në atë (nën)sektor.
Prioritetet
Projektet duhet të fokusohen në nxitjen e ndryshimeve kolaborative dhe inovacioneve në modelin e biznesit, teknologjinë dhe/ose prodhimin. Projektet mund të synojnë, ndër të tjera: zhvillimin e modeleve më të mira për të ardhura dhe monetizim, qasje të reja për zhvillimin e audiencës, ndërtimin e komunitetit dhe marketingun, zhvillimin e standardeve të përbashkëta profesionale/teknike, lloje të reja redaksish gazetareske, rrjete sindikale ose modele të tjera për shkëmbim përmbajtjesh/të dhënash ndërmjet mediave në BE, ofrimin e mbështetjes për organizatat e vogla mediatike. Ato mund të synojnë rritjen e efikasitetit dhe cilësisë së raportimit përmes bashkëpunimeve inovative gazetareske. Projektet mund të testojnë metoda dhe formate inovative të prodhimit ose të kontribuojnë në vendosjen e standardeve të larta për prodhimin mediatik përmes formave të ndryshme të bashkëpunimit. Projektet mund të synojnë rritjen e shkëmbimit të praktikave të mira ndërmjet gazetarëve dhe optimizimin e proceseve të punës për ato zhanre të gazetarisë që kërkojnë më shumë kohë dhe burime.
Projekt-propozimet mund të përfshijnë një ose më shumë nga prioritetet e përmendura më sipër, nëse janë relevante dhe të bazuara në analizën e nevojave të (nën)sektorit të zgjedhur. Analiza e nevojave duhet të jepet në vetë projekt-propozimin dhe të shpjegohet se si aktivitetet e propozuara do të kontribuojnë në përballimin e sfidave të identifikuara.
Aktivitete
Aktivitetet e projekteve mund të përfshijnë: ngjarje, trajnime online dhe punëtori për profesionistët e medias, programe shkëmbimi, skema mentorimi, hartimin e praktikave të mira, zhvillimin e standardeve teknike në nivel sektori, zhvillimin e udhëzuesve dhe standardeve editoriale, prodhimin e manualeve praktike, zhvillimin dhe testimin e platformave dhe zgjidhjeve teknike për shkëmbim idesh dhe praktikash të mira, aktivitete promovuese ose aktivitete të tjera që synojnë të sigurojnë qëndrueshmërinë e sektorit. Inkurajohet shkëmbimi i praktikave të mira ndërmjet operatorëve në tregjet/ vendet/ rajonet mediatike me karakteristika të ndryshme dhe të larmishme (në aspektin e gjuhëve, volumit të prodhimit, madhësive, niveleve të digjitalizimit etj.), për të promovuar mësimin e ndërsjellë. Aplikantët inkurajohen të shqyrtojnë aktivitete që mbështesin sektorin mediatik që nuk ka mjete për t’u përshtatur me mjedisin digjital.
Projektet duhet të zgjedhin aktivitete me potencial për ndryshim sistemik në (nën)sektorin e zgjedhur dhe të parashikojnë rezultate konkrete me indikatorë të qartë dhe të matshëm për sukses.
Gjithashtu, projektet duhet të respektojnë standardet profesionale mediatike dhe pavarësinë editoriale, si dhe të përfshijnë strategji për një sektor mediatik të qëndrueshëm dhe me përgjegjësi mjedisore.
Aplikantë të kualifikuar
Projekt-propozimet duhet të dorëzohen nga një konsorcium i përbërë nga të paktën tre partnerë nga të paktën tre vende të ndryshme që marrin pjesë në Programin Evropa Kreative.
Konsorciumet mund të përfshijnë shtëpi mediatike jofitimprurëse, publike dhe private (përfshirë media të shtypura dhe online, radio, podkaste, televizione etj.), si dhe organizata të tjera që punojnë në fushën e mediave informative (përfshirë shoqata mediatike, organizata joqeveritare, fondet gazetareske dhe organizata për trajnimin e profesionistëve të medias etj.).
Kohëzgjatja e projekteve: deri në 24 muaj
Mënyra e përgatitjes dhe dorëzimit të projekt-propozimeve/aplikimit
• Projekt-propozimet përgatiten në përputhje me kriteret dhe kushtet e përcaktuara në dokumentin e thirrjes: NEWS - Journalism Partnerships (CREA-CROSS-2026-JOURPART), Version 1.0, 21 October 2025. Lidhjen për thirrjen dhe dokumentin e thirrjes mund ta gjeni këtu.
• Aplikimet përpunohen dhe dorëzohen elektronikisht përmes Funding & Tenders Opportunity Portal (F&TP). Informacione për qasjen në F&TP mund të gjeni këtu.