Partneritete Gazetareske – Pluralizëm (CREA-CROSS-2026-JOURPART)

By vladimir , 24 November, 2025
Sektorët evropianë të gazetarisë, si një nga shtyllat e demokracisë, po përballen me sfida serioze, veçanërisht për shkak të transformimit digjital...

Sektorët evropianë të gazetarisë, si një nga shtyllat e demokracisë, po përballen me sfida serioze, veçanërisht për shkak të transformimit digjital. Kalimi drejt mediave online ka sjellë rënie të të ardhurave nga reklamat në mediat tradicionale dhe ka rrezikuar qëndrueshmërinë ekonomike të gazetarisë profesionale. Shumë media po mbyllen, duke reduktuar diversitetin mediatik dhe duke cenuar funksionimin e qëndrueshëm të demokracisë.
Përmes kësaj thirrjeje po bëhen përpjekje për kapërcimin e këtyre problemeve. Thirrja është e hapur në kuadër të Nënprogramit Ndërsektorial të “Evropa Kreative”, i cili nxit bashkëpunimin ndërsektorial dhe inovacionin jo vetëm në sektorët kulturorë dhe kreativë (përfshirë edhe audiovizualin), por edhe në sektorin e mediave informative, me qëllim forcimin e një mjedisi mediatik të larmishëm, të pavarur, të lirë dhe pluralist, zhvillimin e gazetarisë cilësore dhe edukimit mediatik.
Buxheti total për këtë thirrje është 6.900.000 euro. Mbështetja maksimale për projekt është 2.500.000 euro, me normë maksimale të bashkëfinancimit nga Bashkimi Evropian prej 90% të kostove të pranueshme të projektit. Prandaj, aplikantët duhet të bashkëfinancojnë projektet e tyre edhe nga burime të tjera.


Qëllimi 

Thirrja “Partneritete Gazetareske – Pluralizëm” ka për qëllim të mbështesë sektorët mediatikë që kanë rëndësi të veçantë për demokracinë dhe pjesëmarrjen qytetare, përmes përshtatjes së tyre në mjedisin digjital dhe kapërcimit të sfidave strukturore si reduktimi i redaksive dhe shfaqja e “shkretëtirave mediatike”. Mbështetja është e destinuar për organizata me përvojë në fushën mediatike, përmes dhënies së granteve kaskadë (shpërndarje e mëtejshme e granteve / mbështetje për palë të treta).

 

Prioritetet 

Projektet duhet të fokusohen në sektorët mediatikë me rëndësi të veçantë për demokracinë dhe pjesëmarrjen qytetare, pra në rolin që ata luajnë në forcimin e demokracisë, formësimin e debatit publik dhe sigurimin e përfitimeve për publikun dhe komunitetet. Projekt-propozimet duhet të vendosin skema financiare për mbështetje të palëve të treta, me detyrim që të paktën 60% e shumës totale të grantit t’i kushtohet kësaj. Skemat financiare për mbështetje të palëve të treta duhet të drejtohen ndaj shtëpive mediatike, organizatave, mediave lokale dhe rajonale, mediave komunitare, gazetarisë hulumtuese dhe organizatave që ofrojnë lajme me interes publik, në mënyra që forcojnë skenën mediatike pluraliste nëpër Bashkimin Evropian. Veçanërisht inkurajohen të aplikojnë organizatat jofitimprurëse dhe qytetare. 

 

Aktivitete 

Fokusi duhet të jetë në aktivitete që kontribuojnë në mirëmbajtjen, përmirësimin ose transformimin e punës së grupeve të synuara. Aktivitetet, ndër të tjera, mund të përfshijnë: 
• Inovacion në prodhimin editorial (p.sh. formate, përmbajtje), raportimin dhe modelet e të ardhurave 
• Përmirësim të shpërndarjes dhe qarkullimit të lajmeve 
• Zhvillim të audiencës dhe strategji për forcimin e komunitetit 
• Zhvillim të mjeteve teknike që zbatohen në temat e mësipërme 
• Trajnime për temat e mësipërme.
Aplikantët janë të detyruar të zhvillojnë, prezantojnë dhe zbatojnë një skemë financiare për shpërndarjen e granteve, pra rifinancim / mbështetje për palë të treta. Ata duhet të përfshijnë sa më shumë zona gjeografike dhe organizata mediatike. Ndihma financiare për palët e treta është e mundur nën kushtet e mëposhtme: 
• Thirrjet duhet të jenë të hapura, të shpallura gjerësisht dhe në përputhje me standardet e BE-së për transparencë, trajtim të barabartë, konflikt interesi dhe konfidencialitet 
• Thirrjet duhet të jenë të hapura për të paktën dy muaj 
• Rezultatet e thirrjeve duhet të publikohen në faqet e internetit të pjesëmarrësve, duke përfshirë përshkrimin e projekteve të përzgjedhura, datën e dhënies, kohëzgjatjen e projekteve, si dhe emrat ligjorë dhe shtetet e përfituesve finalë 
• Thirrjet duhet të kenë një dimension të qartë evropian.
Është e mundur që projektet të parashikojnë edhe aktivitete shoqëruese si p.sh. . zhvillimin e standardeve deontologjike dhe menaxheriale, përgatitjen buxhetore, këshilla ligjore, trajnime etj. Në projekt-propozim duhet të shpjegohet se si aktivitetet e propozuara do të kontribuojnë në zgjidhjen e problemeve të identifikuara.
Projekt-propozimet duhet të mbështesin tregjet mediatike me pluralizëm të kufizuar dhe qasje të ulët në lajme dhe të parashikojnë rezultate konkrete me indikatorë të qartë dhe të matshëm për sukses. Gjithashtu, projektet duhet të respektojnë standardet profesionale dhe pavarësinë editoriale, si dhe të përfshijnë strategji për një sektor mediatik të qëndrueshëm dhe me përgjegjësi mjedisore.
Aktivitetet duhet të realizohen në vendet e kualifikuara, dhe në të paktën 4 shtete anëtare të BE-së.
 

Aplikantë të kualifikuar

Projekt-propozimet mund të dorëzohen nga organizata individuale ose konsorciume me të paktën dy aplikantë nga vendet pjesëmarrëse në programin “Evropa Kreative”.
Aplikantë të kualifikuar janë subjektet juridike si: shoqata mediatike, organizata joqeveritare, organizata jofitimprurëse, organizata të shoqërisë civile, institucione publike, universitete, qendra kërkimore, fondet gazetareske dhe organizata për trajnimin e profesionistëve të medias, subjekte fitimprurëse, fondacione etj.

 

Kohëzgjatja e projekteve: deri në 24 muaj

 

Mënyra e përgatitjes dhe dorëzimit të projekt-propozimeve/aplikimit 

• Projekt-propozimet përgatiten në përputhje me kriteret dhe kushtet e përcaktuara në dokumentin e thirrjes: NEWS - Journalism Partnerships (CREA-CROSS-2026-JOURPART), Version 1.0, 21 October 2025. Lidhjen për thirrjen dhe dokumentin e thirrjes mund ta gjeni këtu.

• Aplikimet përpunohen dhe dorëzohen elektronikisht përmes Funding & Tenders Opportunity Portal (F&TP). Informacione për qasjen në F&TP mund të gjeni këtu.