Thirrje për Laboratorin e inovacioneve kreative (CREA-CROSS-2025-INNOVLAB) për vitin 2025

By alfa4 , 9 June, 2025
Thirrja për Laboratorin e inovacioneve kreative (CREA-CROSS-2025-INNOVLAB) për vitin 2025 është e hapur, me afat për dorëzimin e propozime- projekteve deri më 24 prill 2025, në orën 17:00 (ora e Evropës Qendrore).
Thirrje për Laboratorin e inovacioneve kreative

Bashkëpunimi ndërsektorial midis sektorit audiovizual dhe sektorëve të tjerë kulturorë dhe kreativ (SKK) është thelbësor për këtë thirrje. Propozim- projektet duhet të konfirmojnë qartë qasjen ndërsektoriale, kushtet për zbatimin e saj dhe përfitimet e pritura për sektorët e përfshirë nga projektet. Gjithsej 5,001,863 euro janë siguruar për thirrjen.

Qëllimet 

Thirrja synon të ndihmojë tranzicionin ekologjik të sektorit audiovizual dhe SKK-së dhe/ose të përmirësojë konkurrencën dhe/ose qarkullimin, dukshmërinë, qasjen, diversitetin dhe audiencën e përmbajtjes evropiane përtej kufijve. Mbështetja synon gjithashtu t'i mundësojë këtyre sektorëve të përshtaten me mundësitë e ofruara nga zhvillimi i inteligjencës artificiale dhe botëve virtuale.

Temat dhe prioritetet

  • Inkurajimi i formave të reja të krijimit që janë në udhëkryq midis sektorëve të ndryshëm kulturorë dhe kreativ, për shembull përmes krijimit të qasjeve eksperimentale dhe përdorimit të teknologjive inovative;
  • Forcimi i qasjeve dhe mjeteve inovative ndërsektoriale që përfshijnë dimensione shumëgjuhëshe dhe sociale me qëllim lehtësimin e shpërndarjes, promovimit dhe monetizimit të tyre, si dhe qasjen në kulturë dhe kreativitet, duke përfshirë trashëgiminë kulturore.

Thirrja do të inkurajojë organizatat nga sektorë të ndryshëm kulturorë dhe kreativ, përfshirë ato nga sektori audiovizual, të hartojnë dhe testojnë zgjidhje inovative për sfidat kryesore dhe të cilat do të kenë ndikim pozitiv afatgjatë në sektorët kulturorë dhe kreativ. 

Ndikimet e pritura

  • Përmirësimi i konkurrencës së sektorit audiovizual evropian dhe SKK në fushat e mëposhtme: transparencë, mbledhje të dhënash /big data dhe përdorim i duhur i inteligjencës artificiale/, përshtatje ndaj sfidave dhe mundësive të shkaktuara nga ndryshimet e vazhdueshme në këta sektorë;
  • Përmirësimi i përshtatjes së sektorit audiovizual evropian dhe SKK ndaj mundësive të ofruara nga zhvillimi i botëve virtuale.
  • Përmirësimi i prodhimit/financimit dhe qarkullimit të përmbajtjes audiovizuale dhe kulturore evropiane në epokën digjitale;
  • Përmirësimi i dukshmërisë, qasjes dhe diversitetit të përmbajtjes audiovizuale dhe kulturore evropiane në epokën digjitale;
  • Rritja e audiencës potenciale të përmbajtjes audiovizuale dhe kulturore evropiane në epokën digjitale.
  • Përshpejtimi i tranzicionit ekologjik të sektorit audiovizual evropian dhe SKK në përputhje me prioritetet e Marrëveshjes së gjelbër evropiane dhe Bauhaus-it të ri evropian.

Projektet duhet të fokusohen në një (ose disa tema):

  • Botët virtuale si mjedis i ri për promovimin e përmbajtjes evropiane, zhvillimin e audiencës dhe konkurrencën e industrive përkatëse evropiane.
  • Mjete inovative biznesi për prodhim, financim, shpërndarje ose promovim të mundësuara ose të përmirësuara nga teknologjia e re (AI, big data, blockchain, Metaverse, NFT, etj.)

Në veçanti do të merren parasysh këto aktivitete:

  • menaxhimi i të drejtave dhe monetizimi (duke përfshirë paketa inovative abonimi për qasje në shumëllojshmëri të përmbajtjeve kulturore evropiane nga platforma të ndryshme ekzistuese evropiane), duke siguruar transparencë dhe shpërblim të drejtë për krijuesit dhe artistët;
  • mbledhja dhe analiza e të dhënave, me fokus të veçantë në parashikimin e përmbajtjes së re dhe zhvillimin e audiencës (duke përfshirë mjete inovative ndërsektoriale për të përmirësuar cilësinë e shërbimit të abonimit dhe vlerësimin më të mirë të përmbajtjes evropiane të ofruar nga platformat evropiane online);
  • Praktika “më të gjelbra” për të zvogëluar ndikimin e sektorëve audiovizualë dhe të tjerë kulturorë në përputhje me Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane dhe iniciativën e Re Bauhaus. 

Aplikuesit e kualifikuar

  • Personat juridikë (privatë ose publikë) që veprojnë dhe janë të regjistruar në vendet pjesëmarrëse në Programin "Evropa kreative".
  • Aplikimi mund të dorëzohet nga partner i vetëm ose nga konsorcium i partnerëve i përbërë nga të paktën 2 partnerë.

Një gamë e gjerë organizatash janë të ftuar të marrin pjesë, duke përfshirë entitete private dhe publike, kompani teknologjike dhe startup-e, organizata audiovizuale, kulturore dhe kreative. Pjesëmarrja e inkubatorëve dhe përshpejtuesve të biznesit inkurajohet veçanërisht për të ofruar hapësirë dhe kohë që idetë kreative të marrin formë.

Kohëzgjatja e projekteve: deri 24 muaj

Mënyra e përgatitjes dhe dorëzimit të propozim-projekteve/aplikacionit

  • Propozim- projektet përgatiten në përputhje me kriteret dhe kushtet e specifikuara në dokumentin e thirrjes: Creative Innovation Lab (CREA-CROSS-2025-INNOVLAB), Version 1.0, 22 October 2024. Linqet në Thirrje dhe dokumentin e thirrjes mund t’i gjeni këtu dhe këtu
  • Aplikimet përpunohen dhe dorëzohen elektronikisht nëpërmjet Funding &Tenders Opportunity Portal (F&TP). Informacionet për qasje në F&TP mund t’i gjeni këtu