Çfarë është nënprogrami “KULTURA?
Nënprogrami Kultura mbështet iniciativat për të promovuar dhe forcuar bashkëpunimin artistik dhe kulturor. Ai ofron mundësi financimi për aktivitete me dimension evropian që synojnë: forcimin e krijimit dhe qarkullimit transkombëtar të veprave evropiane, zhvillimin e lëvizshmërisë transkombëtare, zhvillimin e audiencës (kulturë e arritshme dhe gjithëpërfshirëse), inovacionin dhe ndërtimin e kapaciteteve (në veçanti digjitalizimin, modelet e reja të biznesit, arsimin dhe trajnimin).
Ai mbulon gamë të gjerë sektorësh kulturorë dhe kreativ, siç janë trashëgimia kulturore, arkitektura, dizajni, letërsia dhe botimet, muzika, artet interpretuese dhe të tjera.
Duke ofruar kornizë për bashkëpunim dhe shkëmbim midis organizatave kulturore dhe artistëve në Evropë dhe më gjerë, nënprogrami i Kulturës synon të:
- të inkurajojë krijimin artistik dhe inovacionin;
- të mbështesë promovimin dhe shpërndarjen e përmbajtjes evropiane në të gjithë Evropën dhe më gjerë;
- të ndihmojë artistët të gjejnë mundësi për të krijuar dhe performuar përtej kufijve kombëtarë;
- të nxisë transformimin digjital dhe ekologjik të sektorëve kulturorë dhe kreativ të Evropës.
MUNDËSI PËR FINANCIM
Nënprogrami Kultura ofron mbështetje financiare për gamë të gjerë aktivitetesh që mbulojnë:
Projekte evropiane për bashkëpunim
Këto projekte janë shtylla kryesore e nënprogramit Kultura, me 70% të buxhetit të ndarë për to, me qëllim përmirësimin e qasjes në veprat kulturore dhe kreative evropiane dhe promovimin e inovacionit dhe kreativitetit. Ato mund të mbulojnë një ose më shumë sektorë kulturorë dhe kreativ, por mund të jenë edhe ndërdisiplinorë.
Projektet mbështesin bashkëpunimin transnacional midis organizatave nga sektorët kulturorë dhe kreativ të vendeve të BE-së dhe më gjerë përmes tre kategorive të projekteve:
- projekte bashkëpunimi në shkallë të vogël që përfshijnë të paktën 3 partnerë nga 3 vende të ndryshme të pranueshme (grant maksimal i BE-së deri në 200 000 EUR/deri në 80% të buxhetit total të projektit);
- projekte bashkëpunimi në shkallë të mesme që përfshijnë të paktën 5 partnerë nga 5 vende të ndryshme të pranueshme (grant maksimal i BE-së deri në 1 000 000 EUR/deri në 70% të buxhetit total të projektit) dhe
- projekte bashkëpunimi në shkallë të madhe që përfshijnë të paktën 10 partnerë nga 10 vende të ndryshme të pranueshme (grant maksimal i BE-së deri në 2 000 000 EUR/deri në 60% të buxhetit total të projektit).
Kohëzgjatja maksimale e të gjitha kategorive të projekteve është 48 muaj. Thirrjet për financim për projektet e bashkëpunimit evropian publikohen çdo vit në faqen e internetit të "Evropa kreative". Vetëm personat juridikë mund të aplikojnë për thirrjet. Personat fizikë nuk janë të kualifikuar për të aplikuar për nënprogramin.
Më shumë informacion në lidhje me këtë veprim mund të gjendetkëtu
Qarkullimi i veprave evropiane letrare
Ky veprim mbështet projekte për përkthimin, botimin, shpërndarjen dhe promovimin e veprave letrare evropiane - prozës. Mesatarisht, çdo vit mbështeten 40 projekte, duke përkthyer dhe promovuar 500 vepra letrare evropiane në të paktën 40 gjuhë.
Një aspekt i rëndësishëm i këtij veprimi është forcimi i diversitetit, i cili arrihet duke mbështetur veprat e shkruara në gjuhë më pak të përdorura me qëllim zhvillimin e shpërndarjes së tyre në tregje më të mëdha në Evropë dhe më gjerë. Veprimi synon gjithashtu të promovojë dhe rrisë profilin e profesionit të përkthimit letrar, si dhe të forcojë sektorin e botimeve duke nxitur bashkëpunimin midis palëve të ndryshme të interesuara të përfshira në procesin e krijimit dhe shpërndarjes së librave - autorëve, përkthyesve, botuesve dhe shpërndarësve.
Të gjitha projektet e financuara në kuadër të këtij veprimi duhet të marrin në konsideratë edhe përfshirjen, diversitetin, barazinë gjinore dhe tranzicionin ekologjik në hartimin dhe zbatimin e tyre.
Ekzistojnë tre kategori projektesh të mbështetura në kuadër të këtij veprimi:
- I Vogël, që mbulon përkthimin e 5 titujve të ndryshëm (grant maksimal deri në 100,000 euro/60% e buxhetit total të projektit);
- I Mesëm, që mbulon përkthimin e 11 titujve të ndryshëm (grant maksimal deri në 200,000 euro/60% e buxhetit total të projektit) dhe
- I Madh, që mbulon përkthimin e 21 titujve të ndryshëm (grant maksimal deri në 300,000 euro/60% e buxhetit total të projektit).
Thirrjet për këto projekte publikohen çdo vit dhe janë të dedikuara vetëm për organizatat dhe konsorciumet aktive në sektorin e botimeve dhe librave, jo për individë.
Më shumë informacion rreth këtij veprimi mund të gjendet këtu
Rrjeti evropian i organizatave kulturore dhe kreative
Rrjetet kulturore evropiane janë instrument kyç për arritjen e objektivave të programit @Evropa kreative@ për periudhën 2021-2027. Veprimi synon të forcojë kapacitetet e sektorëve kulturorë dhe kreativ evropianë për t'u përballur me sfidat e përbashkëta, për të nxitur talentin, inovacionin, progresin, si dhe për të krijuar vende pune dhe rritje ekonomike. Mbështetja financiare është menduar për projekte të zbatuara nga rrjete të njohura evropiane/ndërkombëtare të organizatave kulturore evropiane, që mbulojnë gamë të gjerë të vendeve pjesëmarrëse në programin Evropa kreative. Rrjetet evropiane kanë rol përfaqësues dhe këshillues në bashkëpunimin dhe komunikimin me Komisionin Evropian në hartimin dhe zbatimin e politikës kulturore të Bashkimit Evropian.
Programi bashkëfinancon 37 rrjete pan-evropiane të madhësive të ndryshme, duke bashkuar mijëra subjekte, nga individë deri te organizata kombëtare dhe rajonale që veprojnë në sektorët kulturorë dhe kreativ. Këto rrjete ofrojnë mbështetje për organizatat dhe profesionistët kulturorë, duke kontribuar në forcimin e konkurrueshmërisë dhe diversitetit të sektorëve kulturorë dhe krijues evropianë.
Më shumë informacion rreth rrjeteve evropiane mund të gjendet këtu
Platformat evropiane për promovimin e artistëve në zhvillim
Ky veprim ofron mbështetje për projekte bashkëpunuese të operatorëve kulturorë që promovojnë artistë të rinj dhe inkurajojnë programimin vërtet evropian të veprave kulturore dhe artistike.
Në përgjithësi, mbështetja financiare e këtij veprimi është menduar për aktivitete që:
- të inkurajojnë lëvizshmërinë dhe dukshmërinë e krijuesve dhe artistëve - veçanërisht atyre pa ekspozim ndërkombëtar;
- të stimulojnë programimin vërtet evropian të aktiviteteve kulturore dhe artistike, duke lehtësuar qasjen në veprat kulturore evropiane jo-kombëtare përmes turneve ndërkombëtare, ngjarjeve, ekspozitave, festivaleve, etj.;
- të kontribuojnë në zhvillimin e audiencës dhe të sigurojnë dukshmërinë e vlerave evropiane dhe kulturave të ndryshme.
Platformat evropiane janë instrument kyç për zhvillimin e karrierave të talenteve të reja dhe përmirësimin e kushteve të tyre të punës. Në të njëjtën kohë, ato punojnë për të forcuar solidaritetin, pjesëmarrjen dhe qasjen në kulturë, kohezionin social, promovimin e krijimtarisë artistike dhe diversitetin kulturor, si dhe vlerat themelore të BE-së.
Gjithsej 16 platforma evropiane mbështeten nga programi.
Më shumë informacion mbi platformat evropiane mund të gjendet këtu
Entitetet kulturore panevropiane
ОKy është veprim i ri i programit Evropa kreative që mbështet entitetet kulturore - orkestrat që mbulojnë zonë të gjerë gjeografike (mbi 20 vende) dhe që punojnë për të ofruar trajnime, zhvillim profesional dhe mundësi performance për artistë të rinj dhe jashtëzakonisht të talentuar. Një nga objektivat kryesore është të sigurojë qasje për audiencën e re përmes ngjarjeve live dhe përdorimit të mjeteve digjitale.
Në përgjithësi, mbështetja financiare e këtij veprimi është menduar për:
- mbështetja e profesionalizimit të muzikantëve të rinj, duke ofruar mundësi për zhvillim të karrierës në nivel të lartë përmes rekrutimit, trajnimit, turneve dhe shfaqjeve;
- inkurajimi i përsosmërisë artistike në shfaqjet e orkestrave rinore;
- mbështetja e aktiviteteve të organizatave dhe artistëve që punojnë si promovues dhe ambasadorë të vlerave të BE-së.
Më shumë informacione për këtë mund të gjeni këtu
Kultura e lëviz Evropën (Culture Moves Europe) – lëvizshmëri për artistë dhe profesionistë kulturor
Kultura e lëviz Evropën ofron grante lëvizshmërie për artistë dhe profesionistë të kulturës (profesionistë të tjerë) në sektorët e mëposhtëm: arkitekturë, trashëgimi kulturore, dizajn dhe dizajn mode, letërsi, muzikë, arte interpretuese dhe arte vizuale. Qëllimi është të ndihmojë artistët (e rinj) dhe profesionistët e kulturës të arrijnë bashkëpunim ndërkombëtar dhe bashkëprodhime, duke zhvilluar kështu aftësitë e tyre profesionale dhe duke ndërtuar karrierën e tyre përtej kufijve kombëtarë.
Kultura e lëviz Evropën zbatohet nga Instituti Goethe në Bruksel. Buxheti për periudhën 2022-2025 është 21 milionë euro.
Kultura e lëviz Evropën parasheh dy lloje të granteve:
- Veprim për lëvizshmëri individuale:ofron mbështetje financiare për individë që udhëtojnë midis 7 dhe 40 ditëve ose grupe deri në 5 persona që udhëtojnë midis 7 dhe 14 ditëve. Thirrjet janë të hapura çdo vit midis vjeshtës dhe pranverës.
- Veprimi për qëndrim: synon organizatat dhe artistët individualë të afirmuar që organizojnë rregullisht rezidenca dhe janë të interesuar të presin artistë dhe profesionistë kulturorë.
Më shumë informacione për “Kultura e lëviz Evropën” mund të gjeni këtu
Evropa performuese (Perform Europe)
"Evropa performuese" është linjë grantesh për bashkëpunim në fushën e arteve interpretuese në 40 vendet pjesëmarrëse në programin "Evropa kreative".
Është linjë grantesh e avancuar për financimin e sektorit evropian të arteve interpretuese, e cila mundëson rrjetëzimin dhe bashkëpunimin në vendet anëtare të "Evropa kreative" përmes projekteve turistike gjithëpërfshirëse, të larmishme dhe të gjelbra. Mbështetja financiare thekson qëndrueshmërinë dhe përfshirjen, me qëllim kontributin në transformimin e sektorit të arteve interpretuese dhe sigurimin e shpërndarjes në të gjithë kontinentin. Vëmendje e veçantë i kushtohet projekteve që përfshijnë grupe, zona dhe komunitete të përfaqësuara jo mjaftueshëm.
Është menduar që organizatat dhe individët e arteve interpretuese të krijojnë partneritete dhe të propozojnë ide dhe modele me ndikim me një qëllim të përbashkët: të riformësojnë mënyrën se si artet interpretuese mund të arrijnë audiencën në mënyrë më të drejtë, më gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme.
Projektet duhet të përfshijnë të paktën tre partnerë nga të paktën tre shtete anëtare të "Evropa kreative" dhe duhet të përmbajnë të paktën një vepër arti interpretues (duke përjashtuar muzikën live) që do të prezantohet në të paktën tre shtete anëtare të ndryshme të "Evropa kreative" .
Kjo linjë mbështet tre kategori projektesh: Projekte të vogla çartneriteti - deri në 12,000 €; Projekte te mesme partneriteti – deri në 32,000 € dhe projekte të mëdha partneritete– deri në 60,000 €.
Kjo linjë zbatohet nga një konsorcium rrjetesh evropiane në fushën e arteve interpretuese: Rrjeti ndërkombëtar për artet bashkëkohore performuese (ITEM), Rrjeti evropian për zhvillimin e vallëzimit (EDM), Shoqata evropiane e festivaleve (EFA), Rrjeti "Circostrada", Rrjeti "Pearle" (Life Performance Europe) dhe organizata kërkimore "Idea Consultant".
Më shumë informacion rreth dy thirrjeve të publikuara në këtë linjë grantesh mund të gjendet këtu
VEPRIME SPECIALE
Komisioni Evropian mbështet veprime, iniciativa dhe çmime të ndryshme që rrisin dukshmërinë e sektorit kulturor dhe audiovizual në Evropë. Këto aktivitete shpërblejnë arritjet, nxjerrin në pah përsosmërinë dhe rrisin ndërgjegjësimin për kulturën dhe trashëgiminë kulturore evropiane. Këto përfshijnë:
Kryeqendrat evropiane të kulturës
Iniciativa "Kryeqytetet evropiane të kulturës" (ECOC) u krijua për të nxjerrë në pah pasurinë dhe diversitetin e kulturave evropiane dhe për të festuar vlerat që ndajmë si evropianë. Kjo iniciativë nxit ndjenjë përkatësie të përbashkët kulturore dhe nxjerr në pah rolin e rëndësishëm që luan kultura në zhvillimin e qyteteve.
Përveç dimensionit kulturor, përvoja tregon se ky aktivitet sjell përfitime të shumta shtesë. Ai bëhet nxitje për rinovimin e mjediseve urbane, duke forcuar reputacionin ndërkombëtar të qyteteve dhe duke përmirësuar imazhin lokal në sytë e vetë qytetarëve. Përmes përmbajtjes dhe programeve të reja kulturore, qytetet fitojnë energji të re kurse interesi turistik rritet ndjeshëm.
Që nga themelimi i tij në vitin 1985, titulli i "Kryeqytetit evropian të kulturës" është dhënë mbi 60 qyteteve në të gjithë Bashkimin Evropian dhe më gjerë - secili me historinë dhe trashëgiminë e vet unike kulturore, por të gjithë të bashkuar nën idenë e Evropës si një hapësirë për kreativitet, dialog dhe shkëmbim kulturor.
Më shumë informacion mund të gjendet këtu
Shenja evropiane për trashëgimi kulturore
Shenjat evropiane për trashëgimi kulturore përfaqësojnë pika kyçe referimi në zhvillimin e Evropës së sotme. Që nga agimi i qytetërimit deri te shoqëria moderne evropiane, këto vende festojnë dhe simbolizojnë historinë evropiane, vlerat evropiane, idealet evropiane dhe procesin e integrimit. Që nga viti 2013, këto vende janë përzgjedhur në bazë të vlerës së tyre simbolike, rëndësisë së tyre në historinë evropiane dhe aktiviteteve që ofrojnë. Ato kontribuojnë në afrimin e Bashkimit Evropian me qytetarët e tij.
Më shumë informacion mund të gjendet këtu
Çmim për trashëgiminë kulturore evropiane/ Europa Nostra Awards
Çmimet për trashëgimi kulturore evropiane "Europa Nostra Awards" nxjerrin në pah kontributin e jashtëzakonshëm të projekteve, iniciativave dhe individëve në fushën e trashëgimisë kulturore.
Këto çmime njohin arritjet në nivel evropian në pesë kategori kryesore:
- Konservimi dhe konvertimi funksional;
- Hulumtimi;
- Arsimi, trajnimi dhe aftësitë;
- Angazhimi qytetar dhe rritja e ndërgjegjësimit;
- Nismëtarët e trashëgimisë kulturore.
Çdo vit, deri në 30 nisma të lidhura me trashëgiminë kulturore njihen nëpërmjet Çmimeve për trashëgimi kulturore evropiane/ Europa Nostra Awards.
Ditët e trashëgimisë kulturore evropiane
Ditët e trashëgimisë kulturore evropiane janë iniciativë e përbashkët e Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës, e nisur në vitin 1985. Është një nga ngjarjet kulturore më të festuara në Evropë me pjesëmarrjen aktive të qytetarëve të saj.
Gjatë kësaj ngjarje, mijëra monumente dhe vende hapen për publikun, duke përfshirë objekte që rrallë ose kurrë nuk janë të hapura për publikun. Qytetarët kanë mundësinë të zbulojnë trashëgiminë e pasur kulturore të Evropës falas dhe të bëhen pjesë e ruajtjes së saj për brezat e tanishëm dhe të ardhshëm.
Çdo vit, mbi 20 milionë njerëz marrin pjesë në këtë event në më shumë se 50 vende evropiane që janë nënshkruese të Konventës Kulturore Evropiane.
Më shumë informacion mund të gjendet këtu
Çmimi i BE-së për literaturë
Çmimi i BE-së për letërsinë është iniciativë vjetore që ka shpërblyer autorët më të mirë të rinj nga Evropa që nga viti 2009 dhe promovon diversitetin gjuhësor dhe cilësinë letrare brenda kuadrit të programit Evropa kreative.
Çmimi jepet në një cikël trevjeçar, me një të tretën e shteteve anëtare të programit që marrin pjesë çdo vit. Një juri evropiane prej shtatë anëtarë jep pesë çmime speciale për arritje letrare me potencial ndërkombëtar dhe zgjedh një fitues kryesor. Të gjithë autorët e nominuar marrin promovim të vazhdueshëm në të gjithë Evropën, me qëllim arritjen e një audience më të gjerë dhe ndërkombëtare dhe lidhjen e lexuesve përtej kufijve të tyre kombëtarë dhe gjuhësorë.
Më shumë informacion mund të gjendet këtu
Çmimi i BE-së për arkitekturë moderne – „Mise van der Rohe“
Çmimi i BE-së për arkitekturë bashkëkohore – “Mies van der Rohe” është dhënë që nga viti 2001 në njohje të veprave të jashtëzakonshme arkitekturore të realizuara në të gjithë Evropën. Çmimi thekson rëndësinë e arkitekturës cilësore për zhvillimin e qëndrueshëm dhe mirëqenien e qytetarëve. Ai jepet çdo dy vjet. Përveç çmimit kryesor prej 60,000 euro, jepet edhe një çmim për arkitektët e rinj prej 30,000 euro.
Më shumë informacion mund të gjendet këtu
Çmimi evropian për muzikë të famshme dhe moderne
Si veprim specifik brenda iniciativës "Muzika e lëviz Evropën", Bashkimi Evropian synon të nxjerrë në pah dhe promovojë diversitetin e repertorit muzikor evropian duke dhënë Çmimin e Bashkimit Evropian për muzikën e famshme dhe bashkëkohore "The Music Moves Europe Awards".
Që nga viti 2019, këto çmime vjetore festojnë suksesin e artistëve të rinj dhe të talentuar që përfaqësojnë tingullin muzikor evropian të sotëm dhe të nesërm. Çmimi zbatohet nga Eurosonic Noorderslag (ESNS) në partneritet me Festivalin Reeperbahn dhe bashkëfinancohet nga programi "Evropa kreative".
Më shumë informacion mund të gjendet këtu
Muzika e lëviz Evropën
Iniciativa "Muzika e lëviz Evropën" u bë pjesë e programit "Evropa kreative" në vitin 2021. Ajo promovon sektor muzikor evropian të larmishëm, konkurrues, inovativ dhe të qëndrueshëm. Rimëkëmbja nga pandemia COVID-19, kostot në rritje për shkak të inflacionit dhe rritja e ndjeshme e çmimeve të energjisë e shkaktuar nga agresioni i paligjshëm rus në Ukrainë mbeten ende sfida të mëdha për mbështetjen e sektorit të muzikës përmes programit "Evropa kreative". Në të njëjtën kohë, sektori i muzikës po përballet me sfidën globale të ndryshimeve klimatike dhe duhet të japë kontributin e tij për të ardhme më të gjelbër dhe më të qëndrueshme. Prandaj, në përputhje me Paktin e gjelbër evropian dhe duke plotësuar agjendën politike të BE-së për kulturën (Plani i punës i BE-së për kulturën 2023-2026), thirrja e fundit e "Muzika lëviz Evropën" 2025 synon të mbështesë transicionin e gjelbër dhe qëndrueshmërinë ekologjike të ekosistemit muzikor në të gjithë zinxhirin e vlerës (nga krijimi deri te shpërndarja).
Çmimi „Music Moves Europe Talent Award“ është gjithashtu pjesë e "Evropës kreative". Disa projekte muzikore financohen gjithashtu përmes projekteve të bashkëpunimit, rrjeteve, platformave dhe subjekteve kulturore evropiane.